Gradishta në fshatin Slabinjë
Fshati: Slabinjë, Njësia Administrative: Proptisht, Bashkia: Pogradec
Gradishta, apo Kalaja e Slabinjës, ndodhet në jug të fshatit Slabinjë në krahinën e Mokrës së Poshtme. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore me formë piramidale e cila njihet nga banorët e fshatit me emrin “Bregu i Sopotit”. Nën këtë kodër, lumi Shkumbin takohet me lumin e Trebinjës ndërsa në anën jugperëndimore të saj ndodhet një qafë e ulët nëpër të cilën kalonte rruga antike që lidhte luginën e Shkumbinit me Qafën e Panjës dhe më tutje me fushën e Korçës dhe të Devollit. Ky pozicion mjaft i përshtatshëm gjeografik ka bërë që maja e kodrës të fortifikohet me një mur guri në të gjithë sipërfaqen e saj. Koha e ndërtimit të fortifikimit i përket Antikitetit të Vonë (shek. IV-VI p.l.K) kur, për shkak të dyndjeve barbare, Perandoria Bizantine ndërmori një fushatë fortifikimesh dhe rifortifikimesh në të gjithë territorin e saj. Fortifikimi në Slabinjë kishte një sipërfaqe të vogël prej rreth 2 ha. Ai shërbente si një qëndër e vogël banimi me karakter ushtarako-fshatar ku banorët merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori dhe fortifikimin e përdornin jo vetëm për të banuar por edhe për të vrojtuar dhe mbrojtur rrugën antike që kalonte pranë tij. Si një fortifikim i dorës së dytë, Slabinja ishte nën varësinë e drejtpërdrejtë të Selcës së Poshtme. Për nga teknika e ndërtimit, muri rrethues i fortifikimit i përket ekzaktësisht shek. IV m.Kr. Ai është ndërtuar me gurë të vegjël që lidhen me njëri-tjetrin me llaç të dobët. Ka lartësi maksimale 1.30 m dhe gjerësi 1.50 m. Ai e rrethonte majën e kodrës në planimetri trekëndore. Brenda rrethimit është gjetur pak material arkeologjik, kryesisht fragmente enësh dhe tullash të Antikitetit të Vonë
Karta e monumentit
- Pronësia
- Shtetërore
- Përdorimi i sotëm
- Objekt me destinacion kulturor
- Përdorimi fillestar
- Vendbanim i fortifikuar
- Datimi
- Shek. V-VI m.Kr
- Shpallja monument
- Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Vendimi nr.1886, dt.10/06/1973
- Kategoria e monumentit
- I – E parë
- Gjëndja aktuale
- Nga fortifikimi antik ruhet vetëm një trakt muri në anën veriperëndimore ndërsa pjesa tjetër është shkatërruar me kalimin e viteve për shkak se banorët e zonës i kanë shfrytëzuar gurët e saj për ndërtimin e tarracave bujqësore, banesave dhe madje edhe për ndërtimin e shkollës së fshatit.
- Largësia nga qëndra e qytetit të Pogradecit
- 55 km në perëndim.
Si shkohet
Këshillohet vetëm përdorimi i makinave 4 x 4 të cilat mund të transportojnë deri në destinacion. Ngjitja për në vendbanimin e fortifikuar nga rrëza e kalasë bëhet në këmbë.
Çfarë ofron
- Monument Kulturor